Një shpërthim i fuqishëm me lëndë plasëse ka tronditur qytetin e Lezhës në orët e para të mëngjesit të sotëm, më 4 nëntor.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:50, në një ambient parkimi (garazh) privat në afërsi të zonës së njohur si “Mileniumi”.
Shënjestër e këtij sulmi ka qenë një automjet i tipit “Benz”, i cili ndodhej i parkuar brenda në garazh, në pronësi të shtetasit me iniciale A. N.
Fatmirësisht, nga ky shpërthim i qëllimshëm nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima, por vetëm për dëme të shumta materiale të mjetit.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe ekspertët piroteknikë.
Grupi hetimor po kryen të gjitha veprimet procedurale, përfshirë sekuestrimin e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e kapjen e autorit ose autorëve të përfshirë.



