
Autoritetet britanike kanë dënuar me burg një shtetas shqiptar, pasi akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike. Për arrestimin e 27-vjeçarit E. Xhafa, u desh përdorimi i një helikopteri, pasi i riu tentoi të arratisej. Sipas mediave të huaja, i riu shqiptar la makinën dhe tentoi të ikte me vrap në një fushë pranë një autostrade.
Gjatë kontrollit të ushtruar në makinën e tij tip BMW, u gjetën dy kuti kartoni me më shumë se 15 kilogramë kanabis, 273 Paund dhe një listë me emra me shkrim dore.
Pas arrestimit, Xhafa u dërgua në komisariat, por refuzoi që t’u përgjigjej pyetjeve të policisë, ndërsa tregoi vetëm veendin ku jetonte. Autoritetet mundën që të gjejnë adresën e shtëpisë së tij dhe brenda saj gjetën 56 rrënjë kanabis që po rriteshin.
Ai kishte ndërtuar një fabrikë dhe sistemin e kishte përshtatur në mënyrë të tillë që të kultivonte lëndën narkotike. I riu shqiptar u akuzua për posedim të drogës së klasit B me qëllim shpërndarjen dhe prodhimin e kanabisit. Fillimisht i mohoi akuzat, por më vonë pranoi fajësinë. Avokati i tij mbrojtës tha se i riu kishte shkuar në Britani për një jetë më të mirë për veten dhe familjen. Por ai e ka gjetur veten në momente të vështira me një organizatë kriminale.



