
Një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi është goditur nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe autoritetet doganore. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se janë sekuestruar 66,040 euro të padeklaruara, ndërsa në pranga janë vënë dy persona.
“Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës kishte marë informacion në rrugë operative për një sasi eurosh që mund të futeshin në rrugë të paligjshme nëpërmjet Portit të Durrësit. Bazuar në këtë informacion në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare dhe autoritetet doganore, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga ana e shënimeve të Policisë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një autobuz, me drejtues shtetasit V. E., dhe A. Th”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shuma prej 66,040 euro është gjetur gjatë kontrollit të kryer në tavanin e autobuzit. Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, shtetasit V. E., 50 vjeç banues në Elbasan dhe A. Th., 61 vjeç, banues në Tiranë (shofer të autobuzit). Strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë vepër penale.



