Policia e Korçës ka njoftuar për kapjen e emigrantëve të paligjshëm në zonë, numri i të cilëve sa vjen e rritet çdo ditë. Burimet zyrtare nga Policia e Korçës njoftojnë sot se në kuadër të operacionit “Perimetri”, është goditur një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Një person është arrestuar në flagrancë, teksa transportonte më një mjet katër emigrant të paligjshëm. “Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. M., 32 vjeç, banues në Korçë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Pogradec-Librazhd, pranë vendit të quajtur “Lumi i Tërhanit”, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Benz”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt fitimit 215 euro për secilin, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të 32-vjeçarit i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.



