Një ngjarje e pazakontë dhe e rrezikshme është regjistruar në qytetin e Vlorës, ku një i mitur rreth 14 vjeç, së bashku me një bashkëmoshatar si pasagjer, ka drejtuar një automjet.
Sipas të dhënave paraprake, dy të miturit dyshohet se kanë përplasur disa mjete gjatë lëvizjes në rrugë, duke shkaktuar rrezik për përdoruesit e tjerë të rrugës. Për pasojë, ata janë ndjekur nga patrullat e Policisë së Rendit dhe Policisë Rrugore në disa zona të qytetit.
Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit ka përplasur një mjet të forcave “Shqiponja” dhe më pas një tjetër automjet policie. Si pasojë e përplasjeve, dy efektivë policie kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore.
Pas incidentit, i mituri është larguar drejt banesës së tij, ndërsa më vonë është vetëdorëzuar në komisariat. Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe dinamikën e kësaj ngjarjeje.



