
“Situata epidemiologjike në Kosovë mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim” ka paralajmëruar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në një njoftim në rrjete sociale.
Paralajmërimi vjen pasi nga fillimi i vitit ka pasur rritje të rasteve pozitive me COVID-19 e veçmas me shfaqjen e variantit të ri të virusit – Omicron.
Andaj, “IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
“Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”.
IKSHPK ka ripërsëritur edhe një herë që të respektohen me rigorozitet që të respektohen masat si “distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave”.
Veç kërkesës për respektim të masave nga IKSHPK apelojnë përsëri që të vazhdohet “vaksinimi sa më gjithëpërfshirës, sa më i gjerë dhe sa më i shpejtë”.
Ditëve të fundit në Kosovë është rritur në mënyrë të konsiderueshme numri i rasteve pozitive me COVID-19.
Numri është rritur konsiderueshëm pas ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë dhe përhapjes së variantit të ri Omicron.



