
Një person ka përfunduar në pranga pasi është akuzohet për vjedhjen e bizhuterive dhe sendeve me vlerë në banesa.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Gold".
Në kuadër të tij u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Glodian Dervishi, 39 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale "Vjedhja", i dënuar më parë po për këtë vepër penale.
Shtetasi Glodian Dervishi është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Dollari”, duke shitur bizhuteri të cilat i kishte vjedhur në banesën e shtetasit S. R.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas kryente vjedhje në banesa, në zonën e Kombinatit, Paskuqanit dhe në zona të ndryshme të Tiranës dhe më pas sendet e vjedhura i shiste në vendin e quajtur “Dollari” dhe në një argjendari në Kamzë.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronarja e argjendarisë në Kamzë, shtetasja N. Z., 58 vjeçe, banuese në Kamzë, për veprën penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale".
Gjatë kontrollit, shtetasit Glodian Dervishi iu gjetën 11 ora të dyshuara të vjedhura, ndërsa shtetases N. Z. iu gjetën 5 unaza dhe 2 varëse floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me orat.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



