
Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia e Bulqizës, nën akuzën se mori peng për disa orë një person. Sipas burimebe të policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy të rinjve, ndërsa shtetasi Y.D., u arrestua në flagrancë.
“I hoqi për disa orë padrejtësisht lirinë për motive të dobëta 22- vjeçarit, kapet dhe vihet në pranga autori. Specialistët për hetimin e Krimieve në Komisariatin e Policisë Bulqizë, arrestuan në flagrancë shtetasin Y. D., 37 vjeç, banues në Bulqizë”, njoftoi policia.
37-vjeçari akuzohet se për motive të dobëta i ka hequr për disa orë lirinë shtetasit V. B, 22 vjeç, banues në Bulqizë, duke e mbajtur në garazhin e makinës. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e policisë kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e 37-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.



