
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas informacioneve të policisë, ky shtetas është dënuar nga drejtësia italiane për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, në rrugën ‘Myslym Shyri’, ka bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit Albert Bulcari alias Mirash Hani”, njoftoi policia.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e e Apelit Torino/Itali e ka dënuar me 5 vjet, 3 muaj e 7 ditë burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.



