Policia e Dibrës njofton se ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në familje, ku burri kanoste me jetë gruan e tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas njoftimit nga një 38-vjeçare se në banesë, në fshatin Lishan, njësia administrative Luzni, bashkëshorti i saj po e dhunonte dhe po e kërcënonte për ta vrarë, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të shërbimeve të policisë u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në fshatin Lishan.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, 3 granata dore të montuara me kapsolla ndezëse, 1 krehër pistolete dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja” dhe “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.



