Një person me rrezikshmëri të lartë i shpallur në kërkim për tentativë vrasje, është vënë në pranga gjatë operacionit të koduar “Wanted”, njofton policia e Fierit.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri shoqërore, të shpallur në kërkim kombëtar për veprat penale “Vrasje me dashje”, të ngelur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, uniformat blu organizuan operacionin.
Si rezultat i tij në lagjen “1 Maji”, Fier, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar, në banesë shtetasi Adriatik Shabanaj, 38 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.
38-vjeçari, në vitin 2021, në Berat, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri një shtetas.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular që ky shtetas përdorte.



