
Tentoi të fuste në Shqipëri rreth 25 mijë euro, pa i deklaruar, vihet nën hetim një person dhe sekuestrohet shuma e parave.
Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në bashkëpunim me autoritetet doganore, me objektiv parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në hyrje të Republikës së Shqipëris, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin I. Z.
Nga kontrolli fizik, këtij shtetasi iu gjetën rreth 24 900 euro që po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar I. Z., 45 vjeç, banues në Lipjan, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.



