
Policia ka zbardhur dhe dokumentuar ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit.
Nga hetimet e “bluve” rezulton se 26-vjeçari Martin Çeço, trupi i të cilit u gjet i pajetë në rezervuar, është vrarë.
Policia e Korçës njofton se ka vënë në pranga tre autorët e dyshuar: Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj.
Ishte babai i të riut që kallëzoi rastin në polici, ku deklaronte se i riu ishte larguar nga banesa.
Dyshohet se shkak i vrasjes ka qenë konflikti për një vajzë të mitur, me të cilën dyshohet që kishte lidhje viktima dhe një prej autorëve.
NJOFTIMI
Finalizohet operacioni policor i koduar "Marjani".
Operacioni, pas hetimeve intensive nga Sektori për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë.
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç. Vihen në pranga 3 autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit.
Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç., 26 vjeç, banues në këtë fshat, i cili rezultonte i larguar nga banesa, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar "Marjani". Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i tre autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasve:
- B. A., 38 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi, Pogradec (i dënuar më parë për vjedhje);
- V. M., 43 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë;
- E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë.
Shërbimet e Policisë, pasi kanë nxjerrë nga rezervuari trupin e pajetë të 26-vjeçarit M. Ç., kanë krijuar dyshime se bëhej fjalë për një ngjarje kriminale, duke qenë se gjatë këqyrjes, në trupin e 26-vjeçarit, janë konstatuar shenja në pjesën e fytit.
Falë punës profesionale hetimore, provave dhe informacioneve të grumbulluara nga grupi hetimor, u dokumentua se tre shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 12.06.2022, kanë marrë viktimën M. Ç., në fshatin Kolanec, dhe pasi e kanë vrarë (mbytur), për motive të dobëta, kanë hedhur trupin e tij në rezervuar, për të mbuluar ngjarjen dhe për të inskenuar një vetëvrasje të 26-vjeçarit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim.



