Shtatë persona janë proceduar penalisht lidhur me sulmin me gurë ndaj autobusit të Skëndërbeut.
Ata dyshohet se janë tifozë të Partizanit.
Sipas policisë së Elbasanit, ata janë: E.D, 54 vjeç, R.H, 58 vjeç, F.B, 24 vjeç, A.P, 19 vjeç, F.O, 26 vjeç, M.K, 19 vjeç, SH.M, 43 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Sipas policisë, këta persona në orën 16:35 të së dielës, në unazën e qytetit Elbasan, në momentin e ardhjes të autobusëve të tifozave të Skëndërbeut të Korçës, në bashkëpunim me njëri – tjetrin dyshohet të kenë goditur me sende të forta njërin prej autobusëve, duke dëmtuar xhamin anësor të mjetit me targa KO 1750B, drejtuar nga GJ.R.
Në orën 18:50 gjatë zhvillimit të ndeshjes, të futbollit midis ekipeve të Partizanit dhe Skënderbeut në Stadiumin “Elbasan Arena”, nga veprimet e tyre janë thyer 120 stola të stadiumit, janë hedhur mjete piroteknike (fishekzjarre) në fushë, si dhe janë goditur me sende të forta punonjësit e F.N.SH. Tiranë.
Nga këto veprime, u dëmtuan dy punonjës policie, si dhe janë thyer pajisjet mbrojtëse të shërbimit të tyre.



