Albert Cara, i vetmi i mbijetuar në familjen Cara, është nisur sot drejt Italisë për mjekim më të specializuar, pasi është rënduar gjendja e tij shëndetësore. Në përcjelljen e të mbijetuarit Cara për Itali, i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Të plagosurit i kishte rënë një pjesë e madhe betoni mbi trup dhe është dëmtuar në pjesën e shtyllës kurrizore. Nuk është një problem i parikuperueshëm, por kërkon një ndihmë më të specializuar. Është një rast shumë i vështirë”, u shpreh Manastirliu.
Albert Cara humbi të gjithë familjen në tërmetin e 26 nëntorit, gruan Fatmira, dy djemtë Hasan dhe Almir, vajzën Erisa, të fejuarën e Almirit, Stelën, nusen e xhaxhait, Anthi, dhe mbesën e saj Sadajan, të cilët janë përcjellë sot mes lotësh për në banesën e fundit.



