
Pas pesë ditësh, sot Policia e Shkodrës ka arritur të zbardhë vrasjen e Nard Polisë, i njohur ndryshe si “Nardi i Bujtinave në Theth”, dhe të identifikojë autorët e kësaj ngjarjeje.
Në kuadër të operacionit “Step By Step” u vunë në pranga tre persona: Gilbert Toma, 26 vjeç; Kleandro Toma, 29 vjeç dhe Alfred Martini, 20 vjeç, bashkëpunëtorë në krim. Ndërsa u bë shpallja në kërkim e shtetasit K. S., 27 vjeç, i cili dyshohet se është autori i vrasjes.
Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi gjatë hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, rezultoi se shtetasit e lartpërmendur dyshohen se drejtpërdrejt me veprimet e kryera kanë mbështetur me logjistikë dhe armatim vrasësin e Nard Polisë. Shtetasit e arrestuar akuzohen për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimit dhe mbajtes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Gjatë veprimeve hetimore u bë i mundur gjithashtu dhe sekuestrimi i automjetit që u përdor nga autorët gjatë ndjekjes së viktimës dhe largimit të ekzekutorit. U sekuestruan gjithashtu 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja, si dhe dokumente të ndryshme.



