Shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Vlorë, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, mbi vendndodhjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të kërkuar nga Italia, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Red Fox”.
Në kuadër të këtij operacioni, në lagjen “Uji i ftohtë”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar automjetin me të cilin qarkullonte shtetasi Hasim Musaraj (Murataj).
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe si rezultat i veprimeve profesionale, është neutralizuar dhe vënë në pranga shtetasi H. M. (M.), 29 vjeç, banues në Vlorë.
Nga verifikimet e kryera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë, në tetor të vitit 2017, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin Sh. F.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë.



