Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj, ka komentuar lënien në ‘arrest shtëpie’ për ish-shefen e SHISH Vlora Hyseni.
I ftuar në MCN, Hajdarmataj tha se nxjerrja e sekreteve shtetërore dhe vendosja e këtyre të dhënave sekrete në dispozicion të personave të akuzuar, mund të shfrytëzohet nga shtete kundërshtare, duke përmendur specifikisht Beogradin.
Shërbimi informativ, informon për të gjitha aktivitetet për spiunazh, për krimin e organizuar, për drogën. Është burimi kryesor i informacionit që një shtet ka për veprimtarinë kriminale. Dhe kjo është çështja, kur shefi i këtij shërbimi vihet në dispozicion të një personi të akuzuar për krim të organizuar, imagjino pastaj nëse mund t'i shërbejnë këto informacione edhe një shteti tjetër që mund të jetë kundërshtar me shtetin tonë. Ka akuza që mund të jetë lojë e vendeve fqinje siç është Beogradi.
Më tej, Hajdarmataj thekson se ish-shefja e inteligjencës, e cila ligjërisht ka akses në çdo informacion sekret, nuk mund të ketë vepruar e vetme.
Unë di të them se nga ana ligjore shefja e shërbimit nuk ka kufizim në informacionin, është njeriu që njeh gjithçka. Unë them se nuk është e vetme e marrjes së interesimit për informacion, ajo ka dhënë orientime që duhen informacione për këtë gjë. Nuk mund të jetë e vetme në këtë kontekst, pavarësisht se ajo teknikisht ka qenë e para vetë, por njerëz të afërm të saj ja kanë kanalizuar informacionin.
Duke u ndalur te lufta ndaj lëndëve narkotike dhe operacioni "Shkollat e Pastra", ish-drejtuesi i policisë u shpreh skeptik. Ai deklaroi se arrestimet e fundit godasin vetëm fundin e zinxhirit kriminal, ndërsa kokat e vërteta të trafikut të drogës ruhen ose bashkëpunojnë me vetë strukturat ligjzbatuese.
Nuk është rasti i parë që kemi operacione të tilla. Janë kapur disa persona, do rrinë një muaj, do të dalë grupi tjetër. Duhet që të kapet koka, ai që e sjell në Shqipëri, atëherë do të jemi shumë të suksesshëm. Kapet fundi i zinxhirit të aktivitetit kriminal. Kokat ruhen ose bashkëpunojnë me strukturat ligjzbatuese siç është policia e shtetit.



