
Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e djeshme në minierën e Katjelit në Përrenjas, ku minatori Syrja Bego, 57 vjeç, ka humbur jetën pasi u zë poshtë një masiv minerali që u shkëput nga tavani i galerisë.
Ngjarja ka ndodhur në një minierë kromi e cila është marrë në përdorim nga një kompani private me kontratë koncesionare.
Korrespondentja e MCN, Entela Duka, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “MCN Live”, raportoi se ky nuk është aksidenti i parë në këtë minierë, përkundrazi, është një ngjarje që fatkeqësisht përsëritet ndër vite.
Aksidenti ndodhi rreth orës 18:00. Në atë moment, në brendësi të minierës ndodheshin rreth 10 punonjës.
Sipas burimeve nga vendngjarja, viktima ishte pjesë e një grupi teknik që kishte hyrë në galeri për të inspektuar kushtet e sigurisë, pasi puna kishte qenë e pezulluar prej disa ditësh.
Mësohet se shkëputja e masivit të mineralit nga tavani i galerisë ndodhi papritur dhe për pasojë goditi në kokë minatorin Bego, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Menjëherë pas ngjarjes, grupi hetimor dhe përfaqësues të Prokurorisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të marrë në pyetje dëshmitarët dhe përfaqësuesit e kompanisë që administron minierën, përfshirë administratorin Gezim Balaj.
Miniera në fjalë ka qenë shpesh objekt i hetimeve për shkelje të rregullave të sigurisë në punë. Edhe pse aktiviteti është pezulluar herë pas here nga vetë drejtuesit e saj për kontroll teknik, aksidentet kanë vazhduar të ndodhin.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikat e thella që lidhen me sigurinë në miniera dhe mungesën e kontrollit efektiv ndaj kushteve të punës në këtë sektor të rrezikshëm.
Hetimet për këtë ngjarje janë në vijim, ndërsa pritet të përcaktohet përgjegjësia konkrete për vdekjen e 57-vjeçarit.



