Katërmbëdhjetë tonë amfetamina, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë, janë sekuestruar në Itali. Lënda e prodhuar nga i ashtuquajturi Shteti Islamik në Siri u gjet në jug të Italisë.
Ngarkesa me vlerë rreth 1 miliard euro ka mbërritur në formën e 84 milionë tabletave.
Droga u gjet në tre kontejnerë në portin e Salernos, në jug të Napolit, e fshehur në cilindra letre. Tabletat mbanin logon kaptagon, një markë e një ilaçi për të cilën Administrata Amerikane e Zbatimit të Drogave thotë se përdoret shumë nga ISIS.
Captagon ka qenë fillimisht emri i markës për një ilaç që përdorej në Lindjen e Mesme për qetësimin e dhimbjeve.
Policia tha se droga përdoret nga luftëtarët e ISIS për të "penguar frikën dhe dhimbjen". E quajtur "droga e Xhihadit", ajo u përdor në sulmin mbi teatrin “Bataclan”, në nëntor 2015.
Ilaçi ka ndihmuar në financimin e komploteve terroriste të ISIS-it pasi lehtë mund të prodhojë sasi të mëdha tabletash për tregun botëror të barnave sintetike.
Hetuesit thonë se ngarkesa mund të ketë lidhje me një "konsorcium" grupesh kriminale, pasi asnjë tregtar i vetëm nuk mund të përballojë një blerje prej 1 miliardë eurosh.
Agjencia italiane e lajmeve Ansa shkruan se droga mund të lidhet me një klan me madhësinë e grupit mafioz Camorra në Napolit, pasi vetëm një e tillë mund ta tregtojë atë ndërkombëtarisht.
Policia thotë se është e mundur që për shkak të izolimit nga koronavirusi, prodhimi dhe shpërndarja e drogave në Evropë është ndalur praktikisht, prandaj shumë trafikantë i kanë kthyer sytë nga Siris, ku prodhimi nuk duket se është ngadalësuar.



