
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Sadriu ka shpallur ditën e sotme, ditë zie në nderim të mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish-Sekretares amerikane të Shtetit, e cila ndërroi jetë dje.
Flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta të mërkurën. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviçit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht.
Në ora 19:30 do të ndizen qirinj në shenjë mirënjohje dhe kujtimi për të.
Qirinjtë do të ndizen te busti i sajë afër Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Busti i saj është vendosur në Prishtinë si shenjë respekti për insistimin e saj për të intervenuar NATO-ja në Kosovë.
Albright, nxiti që NATO të ndërhynte në Kosovë për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, e shkaktuar nga regjimi i Millosheviçit.
Znj. Albright në vizitën e saj të fundit në Kosovë, në manifestimin qendror për nder të 20 vjetorit të hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në Kosovë më 12 Qershor 1999, kishte deklaruar se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë “ishte i drejtë”.



