Pesë turistë çekë janë ndihmuar nga Policia e Pogradecit, pasi kishin humbur rrugën teksa eksploronin në zonën e Jollës. Sipas uniformave blu, ngjarja ka ndodhur këtë të martë, ku një grup punonjësish të Komisariatit të Policisë Pogradec, gjatë kontrollit të territorit, pasi kanë marrë njoftim se në fshatin Zgallë, njësia administrative Velçan, 5 turistë çekë kishin humbur rrugën.
Ata kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve.
Punonjësit e Policisë i kanë shoqëruar turistët dhe i kanë orientuar në rrugë, ku më pas ata kanë marrë edhe mjetet e tyre motorike.



