Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vetëm pak orë pasi në qytet mbeti i vrarë një i ri 24-vjeçar për shkak të një konflikti, zhvilloi një takim në Shkodër me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë të këtij qarku.
Gjatë mbledhjes, kreu i Policisë së Shtetit është shfaqur i pakënaqur me Policinë Vendore të Shkodrës, drejtori të cilën e drejtoi për një periudhë pothuajse 4-mujore në vitin 2021.
Pakënaqësitë e Skënder Hitës lidhur me policinë e Shkodrës, sipas asaj që deklaroi në mbledhje, lidhen që nga zbulueshmëria e vrasjeve, duke vijuar me kriminalitetin, grupet kriminale, kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, trafikun rrugor, si dhe deri tek siguria në shkolla, duke qenë se jemi para fillimit të sezonit të ri shkollor.
Kreu i Policisë së Shtetit ka kërkuar rezultate më të larta nga Policia e Shkodrës, si dhe një efektshmëri më të madhe në goditjen e grupeve kriminale dhe zbulimin e krimeve të ndodhura, veçanërisht vrasjeve, si dhe kultivimit të drogës, duke qenë se Shkodra vijon të jetë një qark problematik.
Kjo mbledhje përkoi në të njëjtën ditë kur në Shkodër ndodhi një ngjarje e rëndë, vrasja e shtetasit Ylber Luli nga autori i dyshuar Andri Vulaj, që policia e arrestoi menjëherë pas këtij krimi.
Takimi i drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në Shkodër zgjati mbi një orë.
Kjo mbledhje ishte në vazhdën e disa takimeve që kreu i policisë po zhvillon në qarqe të ndryshme të vendit me drejtuesit vendorë dhe strukturat e tjera të policisë, duke lënë porosi të qarta për punën e tyre, si dhe duke kërkuar më shumë rezultate.



