
Një 32-vjeçar i cilësuar si person me profil të lartë kriminal u arrestua në kuadër të operacionit ''Koordinata.''
Bëhet fjalë për 32 vjeçarin Selim Rama, i dënuar më parë për vjedhje, shkatërrim prone dhe organizim të lojërave të palejuara, është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit ''Koordinata.''
Ai ishte i kërkuar për një mori veprash kriminale dhe fshihej në një shtëpi që kishte marrë me qira në kryeqytet. Informatorët e policisë kanë zbuluar vendndodhjen dhe më pas çuan në arrestimin e tij.
''Në këtë kuadër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas me profil të lartë kriminal, i shpallur në kërkim, i cili fshihej në një banesë të marrë me qira, Shërbimet e Policisë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinata”, në kuadër të të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi S. R., 32 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, për shkatërrim prone, për armëmbajtje pa leje dhe për organizim të lotarive të palejuara'', thuhet në njoftimin e sotem te policisë se Tiranes.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit "Arrest në burg", për veprën penale "Armëmbajtja pa leje”, si dhe e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”.
Ndërkohë Rama eshte arrestuar edhe në korrik të 2006 në kuader te operacionit "Seven" ku u sekuestrua mbi 1 kg kokainë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



