
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren e Kavajës, Entela Shedula.
"Trupi gjykues në vijim të procesit të vlerësimit të dy kritereve të tjera, të kontrollit të figurës dhe të vlerësimit profesional shqyrtoi dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit dhe zhvilloi hetimin administrativ. Ky trup gjykues pasi dëgjoi znj. Shedula vendos:Konfirmimin në detyrë të znj. Entela Shedula."
Entela Shedula u shkarkua nga KPK më 4 qershor 2020 pasi u konkludua se kishte mungesë të burimeve financiare për ndërtimin e një vile tre katëshe dhe blerjen e një autoveture. Po ashtu, u konstatuan deklarime të pasakta e të pamjaftueshme për të ardhurat dhe për pasuritë.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në KPK më 30 janar 2020, nuk u relatuan probleme për figurën dhe profesionalizmin, megjithatë vendimarrja në shkallën e parë u konkludua vetëm për pasurinë.
Gjyqtarja Shedula e ankimoi në Kolegj vendimin e shkarkimit të saj, ku gjatë shqyrtimit në dhomë këshillimi u konstatuan shkelje procedurale të kryera në procesin e Komisionit dhe për rrjedhojë çështja u kalua për shqyrtim në seancë publike.
Në seancën e të mërkurës më 25 janar 2023, relatorja e çështjes Suela Zhegu, sqaroi se nuk janë gjetur probleme në pastërtinë e figurës.
Entela Shedula e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996. Ajo ka punuar për një kohë të gjatë si gjyqtare në Gjykatën e Kavajës dhe prej vitit 2011 mban pozicionin e kryetares së kësaj gjykate.



