
Kapet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet amerikane, për trafikim të lëndëve narkotike. Koordinimi i këtyre tri agjencive, RSO/DSS, Policia e Shtetit dhe DEA, rezultoi me arrestimin në Rinas, me qëllim ekstradimin drejt SHBA-së, të një shtetasi indian, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, e kryer në formën e grupit kriminal.
Njësia Policore “Mburoja e Përbashkët” ka kryer hetime paraprake në koordinim të vazhdueshëm, si me Zyrën Rajonale të Sigurisë të ambasadës amerikane në Tiranë, ashtu edhe me zyrtarë të DEA-s në Shqipëri.
Si rezultat i veprimeve të koordinuara më parë, Njësia Policore “Mburoja e Përbashket” ka arritur të lokalizojë dhe të arrestojë shtetasin indian N. M., 31 vjeç, në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bërë ekzekutimin e dy urdhër arresteve amerikane, por dhe kryerjen e hetimeve të tjera sipas marrëveshjeve në fushën e hetimeve penale në fuqi, ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, është duke punuar për ekstradimin e këtij shtetasi drejt SHBA-së.
Gjejmë sërish rastin të falënderojmë ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, për bashkëpunimin, koordinimin dhe bashkërendimin e të gjitha veprimeve ndërmjet agjencive ligjzbatuese, në luftën e përbashkët kundër krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti.



