
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë së Dibrës, duke pezulluar nga detyra dhe duke ndaluar daljen jashtë vendit për dy inspektorë policie.
Sipas AMP-së, bëhet fjalë për një inspektor të shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban dhe një tjetër të Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, në lidhje me ngjarjen ku mbetën të plagosur tre të rinj në Bulqizë.
Agjencia njofton se nga hetimet e thelluara rezulton se punonjësit e policisë nuk kanë përmbushur detyrat e tyre funksionale në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”.
Në njoftimin zyrtar të AMP-së thuhet se masat e sigurisë janë caktuar në kuadër të procedimit penal të vitit 2026, lidhur me ngjarjen e datës 10.03.2026 në Bulqizë, ku tre shtetas mbetën të plagosur rëndë.
Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta punonjës policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse ka edhe punonjës të tjerë të përfshirë.



