
Prokurori i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Gentian Trenova, nuk kalon vetingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij për fshehje pasurie. Referuar ILDKP u konstatua se Trenova ka bërë deklarim të rremë të pasurisë dhe se nuk ka burime financiare për të justifikuar pasurinë.
Gjatë seancës dëgjimore, vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs, ngriti shqetësimin e dy gjetjeve të hetimit administrativ të KPK-së. E para kishte të bënte me pushimin e hetimeve për një prokuror të akuzuar për korrupsion dhe ndaj të cilit kishte një audiopërgjim, ndërsa e dyta kishte të bënte me pushimin e hetimeve ndaj një personi të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Gentian Trenova është prokuror i Apelit në Tiranë dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ai e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 dhe prej asaj kohe ka ushtruar funksionin në prokurorinë e Kurbinit, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe në Prokurorinë e Apelit të Tiranës.



