
Dy shqiptarët dhe tre italianë ranë në pranga e policisë në kuadër të një operacioni antidrogë në Pordenone, Itali. Gramoz Ismailaj e Arkid Saliu, të dy 28-vjeçarë, janë vënë në pranga nga karabinierët në parkingun e një qendre tregtare.
Arrestimi erdhi pasi policia kishte marrë informacionin se pikërisht aty do të bëhej shkëmbimi i 42 kg marijuanë me paratë. Në momentin që tre italianët kanë nxjerrë mallin, policia ka ndërhyrë. Njëri prej shqiptarëve arriti të largohej, por u bllokua 200 m më tutje nga policia.
Përveç drogës, policia sekuestroi edhe një Audi R6, me targa sllovene, që përdorej nga dy shqiptarët; një Jeep Renegate që përdorej nga tre italianët dhe mijëra euro kesh.
Sipas hetimeve, italianët e kishin marrë me qira makinën me të cilën transportonin lëndën narkotike që vinte nga Fasano dhe ishte e destinuar për tregun e verilindjes së Italisë, ku shqiptarët kanë shumë lidhje dhe degë të grupeve të tyre.



