
Policia e Tiranës ka njoftuar se sot rreth orës 16:20, në Rrugën e Elbasanit, shtetasi R.T., rreth 52 vjeç, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë, ai ka goditur fillimisht shtetasin E.E., rreth 63 vjeç, që po lëvizte me biçikletë, dhe më pas shtetasen V.S., rreth 18 vjeçe, këmbësore.
Pas kësaj përplasjeje, automjeti është përplasur edhe me murin rrethues të një ndërtese diplomatike.
Dy shtetasit e dëmtuar janë dërguar në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.



