Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër dhe me Forcën e Posaçme Operacionale të DPPSh-së, finalizoi operacionin policor të koduar “Andromeda”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit M. S., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, K. K., 45 vjeç, banues në Ksamil dhe K. Xh., 41 vjeç, banues në Sarandë.
Nga hetimet ka rezultuar se këta tre shtetas, të organizuar si grup, shitnin doza të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis, në Gjirokastër dhe në Sarandë. Lëndët narkotike siguroheshin kryesisht nga shtetasi M. S., të cilit nga kontrolli në banesë, iu gjetën sasi të tyre, të ndara në doza, armë gjahu, municion luftarak dhe 1 radio marrëse-dhënëse, të poseduara pa leje, si dhe 250 paketa me cigare, të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me pullën fiskale.
Ndërkaq, 2 të arrestuarit e tjerë u kapën në flagrancë me doza Kokaine dhe Cannabisi, si dhe me shuma parash, në lekë, euro dhe paunde, të dyshuara të përfituara nga shitja e dozave.
Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. K., 31 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi nga kontrolli fizik, iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike Cannabis Sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



