
Mbahet sot në Hagë, konferenca e pestë rreth ecurisë së çështjes ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, që më 25 shtator 2020 ishin transferuar në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Më 24 dhjetor 2020, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi që t’i vazhdohet paraburgimi Haradinajt dhe mohoi kërkesën e tij për një seancë dëgjimore për këtë çështje.
Më 5 janar Haradinaj ka apeluar ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, por Paneli i Gjykatës së Apelit pranë Dhomave të Specializuara ka refuzuar apelin e Nasim Haradinaj kundër vendimit për mbajtjen e tij të mëtejshme në paraburgim.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, dhe u transferuan në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.



