
Një e dënuar 33-vjeçare ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Bëhet fjalë për shtetasen Afërdita Leke Hajdarkola, lindur në Tropojë dhe banuese në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare, ajo vuante nga probleme të rënda shëndetësore.
Afërdita Hajdarkola ishte akomoduar fillimisht në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi” më 20 prill 2020 dhe më pas ishte transferuar në Qendrën Spitalore të Burgjeve më 15 tetor të po atij viti, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.
Hajdarkola ishte arrestuar për veprën penale të dhunës në familje dhe vuante nga probleme të rënda shëndetësore, përfshirë insuficiencë renale, për të cilën trajtohej me dializë.
Mbrëmjen e djeshme ajo është shtruar në Reanimacionin Qendror të QSUT në gjendje të rënduar, me acidozë metabolike dhe hipotension.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 03:40 të mëngjesit, ajo ka ndërruar jetë si pasojë e arrestit kardiopulmonar.
Autoritetet përkatëse janë vënë menjëherë në dijeni dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore.



