Një 24-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi dyshohet se përndiqte dhe kanoste në mënyrë të përsëritur një shtetas përmes profileve të falsifikuara në rrjetet sociale, me qëllim për t’i marrë një shumë parash.
Policia bën me dije se pas marrjes së njoftimit për rastin, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Accountet”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi K. G., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në flagrancë në momentin që po merrte shumën monetare.
Sipas veprimeve hetimore, 24-vjeçari dyshohet se, duke përdorur profile të falsifikuara në platformat virtuale, ka përndjekur dhe kanosur shtetasin D. P., duke e shtrënguar për t’i dhënë një shumë parash.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një shumë parash dhe dy aparate celularë.
Policia vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Përndjekja”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.



