Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur sot se vijojnë operacionet për goditjen e vend-magazinimit të bimëve narkotike në Gjirokastër.
Në një postim në faqen zyrtare të Ministria e Punëve të Brendshme, mbrëmjen e së martës, thuhet se “Në operacion 70 forca Policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe të Stacionit të Policisë Kelcyrë. Operacioni i parë u zhvillua në territorin e fshatit Panarit, të njësisë administrative Dishnicë, në vendin e quajtur “Sheshi i Gjatë” ku u gjeten në një kasolle në brendësi të pyllit 1300 bimë të dyshuara narkotike të varura në proces tharje, si dhe një thes me rreth 10 kg me boçe të tharë të dyshuar si narkotike”.
Po ashtu, bëhet e ditur se “Policia mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative ka shpallur në kërkim policor një shtetas me inicialet S.D, si autor të dyshuar. Operacioni i dytë u zhvillua në territorin e fshatit Izvor i vjetër, Memaliaj, ku u evidentua një kapanon brenda të cilit u gjetën një automatik, një pushkë, 8 thase me lëndë narkotike me peshë rreth 75 kg, si dhe 1000 bimë në proces tharje”.
“Policia ka shpallur në kërkim si autorë të dyshuar shtetasit A.P dhe M.O nga fshati Izvor.Një sasi e lëndës narkotike dhe armët e zjarrit janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale. Ndërsa bimët narkotike dhe pjesa tjetër e lëndës narkotike në të dy operacionet janë asgjësuar në vend me anë të djegies.Po vijon puna për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve si dhe për kapjen e autorëve”, thuhet nga MPB.



