SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-oficerin e Policisë Gjyqësore, Igli Haxhiaj, i akuzuar për shpërdorim detyre, nxjerrje të sekretit hetimor dhe korrupsion pasiv.
Hetimet lidhen me një dosje të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Roterdami dhe Barcelona, të zhvilluar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Haxhiaj dyshohet se ka dekonspiruar një operacion hetimor duke i dhënë informacion shtetasit D.M., i përfshirë në aktivitet kriminal, për përgjime dhe vëzhgime të kryera ndaj tij. Në këmbim të këtyre informacioneve, ai dyshohet se ka përfituar 15 mijë euro.
Hetimet tregojnë se komunikimet mes Haxhiaj dhe anëtarëve të dyshuar të grupit janë zhvilluar edhe përmes aplikacionit të enkriptuar SkyECC, ku ai ka ofruar të dhëna mbi veprimet hetimore dhe ka diskutuar gjithashtu për trafikimin e lëndëve narkotike.
SPAK thekson se veprimet e tij kanë cenuar rëndë sekretin hetimor dhe kanë penguar hetimet për një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, i cili operonte nga Shqipëria drejt Italisë përmes porteve të Europës Veriore.
Haxhiaj ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në burg” që prej 27 nëntorit 2025.



