
Komisioni i Përzgjedhjes në Byronë Kombëtare të Hetimit ka mbyllur sot, fazën e intervistës dhe përzgjedhjes së kandidatëve për hetues në fazat e mëtejshme të konkurrimit.
Në njoftimin e saj zyrtar BKH-ja shkruan se kandidatët e kualifikuar, do t’i nënshtrohen Testit të Poligrafit, i cili do të fillojë më në 9 gusht.
Kandidatët e kualifikuar, do të plotësojnë:
- Deklaratën për Kontrollin e Figurës, Aneksi A, Shtojca B, Shtojca C, parashikuar në Ligjin nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
- Deklaratën e pasurisë dhe interesave private e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë. Mbi mënyrën e plotësimit të deklaratave të pasurisë mund të informoheni në linkun me udhëzimet e dhëna nga web i ILDKPI
BKH-ja në qershor mbylli procesin e Testimit për Aftësitë Fizike, për kandidatët “Hetues”.
“Nga 325 kandidatë pjesëmarrës, u kualifikuan 210 kandidatë dhe 115 kandidatë nuk kaluan në fazën tjetër”, njofton BKH-ja.
Testimi i Aftësive Fizike u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.
Kandidatët e kualifikuar iu nënshtruan një sërë modulesh vlerësimi dhe trajnimesh që duhen kryer përpara se të certifikohen.
“Rrugëtimi i tyre filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit tetor 2020 dhe ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës”, shkruhet në njoftimin e SPAK-ut.



