
Policia ka dhënë informacion për lëndën narkotike të gjetur ditën e djeshme në një shtëpi të braktisur në Lezhë.
Në pranga është vënë një person me iniciale V. N., banues në Manati, Lezhë, ndërsa janë shpallur në kërkim dy djemtë Sh. N. dhe S. N.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se shtetasit e lartpërmendur janë posedues të 32 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike cannabis sativa që u gjetën dhe u sekuestruan gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër që ata e kishin në përdorim, ngjitur me banesën e tyre, në fshatin Manati, Lezhë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.



