Strukturat e Doganës Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kanë sekuestruar 25 mijë euro të padeklaruara, të cilat u zbuluan gjatë kontrollit të një automjeti të paraqitur në vijën e dytë të kontrollit.
Sipas njoftimit, pas verifikimeve dhe kontrollit fizik të mjetit në pronësi të një shtetasi italian, u konstatua një shumë monetare që nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve përkatëse, në kundërshtim me detyrimet ligjore në fuqi.
Shuma e sekuestruar iu dorëzua strukturave kompetente për vijimin e procedurave të mëtejshme ligjore, ndërsa po kryhen verifikime për rrethanat e rastit.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet e përbashkëta mes Doganës dhe Policisë Kufitare do të vijojnë, me qëllim garantimin e zbatimit të legjislacionit dhe forcimin e sigurisë në pikat e kalimit kufitar.



