Një 41-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Krujës, pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash një 24-vjeçareje përmes mashtrimit dhe më pas ka përfituar kredi në emër të saj, pa dijeninë e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, menjëherë pas kallëzimit të bërë nga një shtetase për mashtrim, kanë ndërmarrë veprime të shpejta hetimore për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e autorit të dyshuar.
Si rezultat i hetimeve dhe në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit F. Xh., 41 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për mashtrim.
Sipas hetimeve paraprake, më datë 09.02.2026, 41-vjeçari dyshohet se i ka marrë 550 000 lekë një 24-vjeçareje, banuese në Krujë, nëpërmjet mashtrimit. Po ashtu, më datë 24.02.2026, ai ka aplikuar dhe ka përfituar kredi në emër të saj pranë një institucioni financiar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



