Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "California".
Si rezultat i kësaj, u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar, dhe u vunë në pranga shtetasit S. V., 27 vjeç dhe J. L., 24 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.



