
Më 3 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u rikthye në atdhe.
Kjo është një datë historike për Shqipërinë, pasi kryetrimi shqiptar Gjergj Kastriot-Skënderbeu do të linte betejën e Nishit dhe do të nisej për në Krujë, ku më pas edhe do të luftonte kundër osmanëve për 25 vite me radhë.
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar.
“Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj”, citohet (“Historia e Skëndebeut” nga Marin Barleti) të ketë thënë heroi ynë kombëtar duke iu drejtuar turmës entuziaste, më 28 nëntor 1443, kur për herë të parë në histori, në Krujë u ngrit flamuri kuq e zi.
Që prej këtij viti e gjersa u shua, qëndroi i pathyeshëm në krye të Shqipërisë në luftën 25-vjeçare kundër osmanëve. Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historiografisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar europiane.
Epoka e Skënderbeut e shekullit 15, dhe vetë figura e tij ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe në rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre.
Nën udhëheqjen e Skënderbeut, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë. Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi.
Ai mbetët heroi më i madh i shqiptarëve dhe themeluesi i shtetit mesjetar shqiptar.



