
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe anëtarëve zëvendësues, të përfaqësuesit të Avokatit të Popullit, dhe përfaqësuesve nga subjektet e ftuara zhvilloi të mërkurën mbledhjen e e tij të radhës.
Në njoftimin për mediat, bëhet e ditur se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin nga kandidat e përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi edhe mendimin e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi lejimin e kandidimit dhe vijimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Arta Marku, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës më datë 13.01.2022.
Gjithashtu, KED vendosi ndalimin e kandidimit të Elida Take, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 13.01.2022.
Në lidhje me kandidaturën e Gent Ibrahimi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi të vijojë procedurën e verifikimit për kushtet dhe kriteret ligjore të kandidatit, për vakancën e shpallur nga Presidenti i Republikës.
“Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen zyrtare web të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Kandidati për të cilin është vendosur ndalimi, ka patur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.
Kandidati ka të drejtën e ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë së 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Në vijim të rendit të ditës, KED procedoi me fazën e intervistimit të kandidatëve, Holta Zaçaj, Ilir Toska dhe Manjola Xhaxho, si edhe nga eksperti i caktuar, në funksion të verifikimit të nivelit të njohjes së gjuhës së huaj (anglisht).
KED ka vijuar sot mbledhjen me procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve të sipër cituar, për vendin vakant të shpallur nga Gjykata e Lartë në datat 21.02.2019, 19.04.2019, 03.06.2021 dhe 15.11.2021.



