Një 47-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Fier, pasi u kap duke shpërndarë kanabis në lokalin në pronësi të tij si dhe organizonte lojëra fati.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier dhe me Forcën e Posaçme "Shqiponja", bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore se në një lokal në Roskovec shpërndahej lëndë narkotike dhe organizoheshin lojëra të palejuara, kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 47-vjeçarit Festim Dhima, banues në Kurjan, Roskovec.
Arrestimi i tij u bë pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tij, u gjetën doza me lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa.
Gjatë kontrollit në lokal u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një valixhe me zare dhe fisha të ndryshme si ato të lojërave të fatit të pokerit që shërbejnë për të luajtur bixhoz.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, "Nxitja për përdorimin e drogës", “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, "Organizimi i lotarive të palejuara" dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.



