Tre operacione të finalizuara brenda 24 orëve nga Policia e Shtetit kanë çuar në arrestimin e tre personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale, përfshirë armëmbajtje pa leje, vjedhje me dhunë dhe transportim të shtetasve që synonin kalimin ilegal drejt Greqisë.
Gjatë operacioneve u sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë me krehër dhe fishekë, një armë e ftohtë (thikë), si dhe automjeti i përdorur për transportimin e personave që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Operacioni i parë, i koduar “Pasagjeri”, u zhvillua nga shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 26 vjeç, banues në Babrru, Tiranë.
Sipas policisë, gjatë kontrollit të kryer pas ndalimit të taksisë me të cilën lëvizte, 26-vjeçarit iu gjet një armë zjarri tip pistoletë, të cilën e mbante pa leje.
Operacioni i dytë, i koduar “Thirrja”, u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë, në bashkëpunim me Policinë e Sarandës dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi H. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Vanë, i dyshuar se kishte dhunuar një punonjës të OShEE-së dhe i kishte marrë automjetin e kompanisë.
Automjeti u gjet dhe iu kthye subjektit, ndërsa gjatë kontrollit fizik të të arrestuarit u sekuestrua edhe një thikë.
Operacioni i tretë, i koduar “Barriera”, u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë. Në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Q., 30 vjeç, banues në Belsh.
Sipas policisë, ai po transportonte me një automjet tip “Volkswagen” pesë shtetas, katër nga Shqipëria dhe një nga Kosova, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në Greqi për shkak të pengesave që kishin për lëvizjen në zonën “Schengen”.
Materialet procedurale për tre rastet i janë referuar prokurorive për veprime të mëtejshme.



