Një 50-vjeçar nga Kosova dhe një 47-vjeçar polak, të dy banues në Zvicër, janë vënë në “shënjestrën” e operacionit të koduar “Asetet”. Të dy personat në fjalë jetonin në Zvicër, ku dhe janë nën hetim për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”, ndërsa në Shqipëri kishin ngritur pasuri me vlerë 2.1 milionë euro.
Hasan Lushi, 50 vjeç, lindur në Junik, Kosovë dhe banues në Olten, Zvicër dhe Ryszard Artur Szylak 47 vjeç, lindur në Poloni, dhe banues në Olten, Zvicër; rezultojnë pronarë të 3 apartamenteve dhe një njësie tregtare në një nga rrugët kryesore të Tiranës, si dhe 5.500 metra2 tokë në Radhimë të Vlorës e 6 makinave të prodhimeve të fundit.
Ata kishin asete në një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave dhe llogari bankare në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane.
Në kuadër të operacionit “Asetet” u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të tyre.
Pasurite e sekuestruara
• 3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
• Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
• Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë;
• Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave;
• Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane;
• 6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit



