
Në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, kanë identifikuar dhe asgjësuar në total 3,679 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Komisariati i Policisë Shkodër, në territorin e njësive administrative Pult, Shalë dhe Postribë, gjeti dhe asgjësoi 265 fidanë dhe 1,437 bimë të dyshuara si kanabis. Në vijim të hetimeve, Prokurorisë i janë referuar materialet për fillimin e procedimit penal në gjendje të lirë ndaj një inxhinieri pyjesh, shtetasit A.M., i dyshuar për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.
Komisariati i Policisë Vau i Dejës, në territorin e njësive administrative Shllak dhe Temal, gjeti dhe asgjësoi 1,977 bimë të tjera të dyshuara si Cannabis Sativa.
Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, si dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Operacioni “Koordinata” është pjesë e strategjisë së strukturave të Policisë së Shtetit për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në zona të ndryshme të vendit.



