Nën dyshimin se shpërndanin drogë në lokalet e natës në Himarë, një person është vënë në prangat e policisë dhe një tjetër nën hetim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, mbështetur dhe informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 49 vjeç, banues në Himarë.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. G., 43 vjeç, banues në Himarë.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e shtetasit E. K., shërbimet e policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. G., gjetën një sasi të vogël të kësaj lënde dhe fara të bimës së kanabisit.
Lënda dhe farat narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy aparate celulare dhe dy peshore elektronike.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e dozave të kanabisit, në qytetin e Himarës, kryesisht në lokalet e natës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.



