
Asnjë nga lundrimet e parashikuara për mbrëmjen e sotme drejt Italisë nuk do të kryhet. Shkak për anulimin e tyre është bërë situata e paqëndrueshme e motit dhe parashikimet për përkeqësimin e saj gjatë orëve në vijim. Në një njoftim të Autoritetit Portual Durrës thuhet se edhe lundrimet nga brigjet italiane drejt atyre shqiptare janë shtyrë për mëngjesin e së mërkurës.
Linja Durrës-Bari
Trageti “Rigel VII” do ta shtyjë lundrimin drejt Barit për në orën 8:00 të mëngjesit të nesërm, dt.18.1.2023 (Imbarkimi i pasagjerëve do të bëhet mbrëmjen e sotme).
Trageti “GNV Blu” anulon lundrimin drejt Barit dhe rikthehet në linjë ditën e nesërme.
Linja Bari-Ankona-Durrës
Kompania “Adria Ferries” njofton se si pasojë e motit të përkeqësuar edhe në krahun tjetër të Adriatikut dhe kushteve jo të favorshme për lundrim, anulohen nisjet nga Bari për Durrës me tragetin “AF MARINA” dhe nga Ankona për Durrës me tragetin “AF CLAUDIA”.
Ndërsa kompania “Venturis Ferries” bën të ditur se trageti “Rigel III” do të niset nga Bari në orën 8:00 të ditës së nesërme, dt.18.1.2023.



