
Goditet një rast i mosdeklarimit të parave në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, duke nisur hetimet për një shtetas turk A. D., 50 vjeç, banues në Stamboll, i cili u kap me afro 28 mijë euro të padeklaruara.
Gjatë kontrollit të shërbimeve të Policisë Kufitare të Kapshticës, në vijën e dytë, në kamionin që drejtohej nga 50-vjeçari, u gjet e fshehur në kabinën e kamionit, një çantë krahu me 27 915 euro dhe 2935 dollarë, të cilat ky shtetas po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar.
Shuma e eurove dhe dollarëve u sekuestrua nga policia, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.



